
Lepuri dhe breshka i kishin shtëpitë pranë dhe pranë. Lepuri gjithnjë e ngacmonte breshkën për ngadalësinë e saj. E quante plakë, megjithëse ata ishin moshatarë me njëri-tjetrin. Për t'u mburrur i kërkonte të bënin një garë vrapimi. Breshka nuk i përgjigjej, por kthente rrugë.
Lepuri përsëri ia priste udhën.
-Hë, zonja breshkë, si thua, a pranon të bësh një garë me mua?
-Mirë, -tha një ditë breshka.
Lepuri u çudit nga fjalët e breshkës. Lepuri e quante veten "më të shpejtin e kafshëve". Breshka ishte më e ngadalta.
Lajmi se breshka dhe lepuri do të bënin një garë vrapimi me njëri-tjetrin ishte përhapur në të gjithë pyllin. Të gjitha kafshët u çuditën me vendimin e breshkës.
Erdhi dhe dita e garës së madhe. Breshka dhe lepuri u vendosën në vijë si atletët dhe me t'u dhënë sinjali u nisën. Lepuri vrapoi me të katra dhe u bë erë, kurse breshka lëvizte me hapa të ngadalta. Lepuri duke vrapuar e kthente kokën prapa. Breshka zvogëlohej dhe zvogëlohej në sytë e tij, derisa erdhi një çast që nuk u pa më. Breshka kishte mbetur shumë prapa.
Ishte shumë vapë. Lepuri qëndroi për të parë breshkën. Ajo nuk dukej gjëkundi. Kishte mbetur shumë prapa. Lepurit i erdhi keq për breshkën, ndaj mendoi të merrte një sy gjumë nën hijen e pemëve derisa të afrohej breshka. Kur breshka të afrohej, ai do të vraponte përsëri dhe do ta fitonte garën.
Nën pemë frynte një erë e freskët dhe lepurin e mori një gjumë i thellë. Një gjumë më i thellë nuk bëhej. Ngadalë ngadalë, breshka arriti tek hija e drurëve. Ajo dëgjoi një gërhimë. Hodhi shikimin dhe pa lepurin që po gërhiste. Kushedi se çfarë ëndërrash shihte. Nuk qëndroi por vazhdoi në udhën e saj me të njëjtin hap.
Ec dhe ec…
Ec dhe ec…
Breshka po i afrohej fundit të garës.
Dikur lepuri u zgjua nga gjumi i thellë dhe hodhi sytë prapa për të parë breshkën. Ajo nuk dukej poshtë në udhë. Lepuri filloi të vraponte i sigurtë se breshka kishte mbetur prapa, ose e kishte lënë garën. Në një çast ngriti kokën dhe shumë përpara tij, atje ku gara përfundonte, pa breshkën. U çudit sa më s'bëhet dhe vrapoi me të gjithë fuqinë që ta arrinte. Ishte vonë, sepse breshka e kishte fituar garën. Kafshët e pyllit prisnin ardhjen e lepurit, por atij nuk i bënin më këmbët të vraponte. Mallkonte veten për gjumin e rëndë që e kishte zënë. Që nga ajo ditë lepuri nuk do ta ngacmonte më dhe nuk do të guxonte të futej në garë me breshkën. Trembej se mos përsëri do ta rrëmbente gjumi i rënd.
Mendjemprehtësia

Na rronte njëherë një prijës i ri, që njihej jo vetëm për trimërinë por kryesisht për karakterin e harbuar e tekanjoz. Njëherë thirri më plakun e fshatit të rripte një gur, e pastaj të pregatiste një drekë për të ftuarit e tij.
Plaku,i zënë ngushtë u kthye në shtëpi i vrerosur dhe i tregoi vajzës së tij të vetme për urdhërin e çuditshëm të prijësit. Vajza ishte e re, shumë e bukur por edhe shumë mendjeprehtë.
Ajo e qetësoi të atin dhe i premtoi se do ta ndihmonte. Dhe me të vërtetë, në mëngjes shkoi te babai i saj me një thikë në dorë dhe i tha: ”Jepja këtë thikë prijësit dhe i thuaj ta therë në fillim gurin e pastaj ti mund ta rrjepësh e t’i marrësh lëkurën”.
Plaku veproi tamam ashtu siç e mësoi e bija.
Prijësi, u zemërua dhe i tha:
- Ku ke dëgjuar or plak, që të therret guri? Mos kërkon të tallesh me mua?
Plaku u përkul tërë nderim dhe iu përgjigj:
- Nuk guxoj të të kundërshtoj o prijës, po ku është dëgjuar të rrjepësh lëkurë nga një gur?!
Prijësit i pëlqeu përgjigja dhe kur mori vesh se fjalët e plakut dilnin nga mendja e së bijës, u martua me të.
Vështirë e pati prijësi me gruan e tij të re. Ajo doli më e zgjuar nga i shoqi dhe kjo cënoi keq sedrën e sëmurë të prijësit,aq sa vendosi të ndahet prej saj,megjithëse e donte si më parë.
- Unë po shkoi për gjueti, por ki mendjen:po qe se ti para kthimit tim do të zgjidhësh qoftë edhe një çështje, me mua nuk ke punë më, do të ndahemi njëherë e mirë.
Kaloi një ditë, dy, apo më tepër dhe te fqinjët erdhi një mik. Natën pela e mikut polli një mëz. Në mëngjez miku, kur mori vesh lajmin u gëzua shumë, por të zotët e shtëpisë filluan të ngulnin këmbë se mëzin e polli qerrja ku ishte lidhur pela.
Filluan të grindëshin dhe për të sheshuar problemin vendosën të ftojnë gruan e prijësit.
Dhe kjo erdhi, por me mjaft vonesë. Ajo kërkoi ndjesë për vonesën duke u shfajësuar se rrugës, duke ardhur, pa përroin që kishte marrë zjarr dhe e shojti duke i hedhur fletë të thata. Të gjithë u habitën. Edhe miku edhe të zotët e shtëpisë.
- Zjarrin e shuajnë me ujë e jo me fletë të thata, e pastaj, ku është dëgjuar që të digjet uji?!- thanë ata.
Gruaja e prijësit qeshi nën buzë dhe u përgjigj:
- Po që se e keni të qartë se kjo nuk ndodhë, si nuk mund të kuptoni se qerrja s’mund të pjellë mëza?
Në këtë mënyrë u zgjidh edhe grindja në dobi të mikut.
Kur u kthye nga gjuetia, prijësi mori vesh që gruaja e tij e kishte shkelur porosinë që i kishte dhënë. Ai u gëzua dhe i propozoi gruas të marrë me vete gjithçka dhe çfardo që do e të largohet nga shtëpia e tij e të shkojë te të sajtë, apo ku të dëshirojë.
- Mirë, unë pranoj, por para se të largohem dëshiroj të hamë së bashku darkën e fundit të lamtumirës, - u lut ajo dhe, pasi mori pëlqimin e të shoqit, shtoi sofrën.
Gjatë darkës ajo e dehu të shoqin, pastaj, me kujdes, që të mos e zgjonte, e ngarkoi në qerre dhe së bashku me të u nis për te prindërit e saj.
Rrugës prijësi u zgjua dhe i habitur qeshi:
- Ku po më qon kështu?
E shoqja, si gjithnjë, u përgjigj qetë:
- Si ku? A më urdhërove të largohem nga shtëpia jote dhe më lejove të marr me vete gjithçka që më nevojitet dhe çfarëdo që dua? E pra, unë ty të dua më tepër dhe asgjë tjetër. Prandaj dhe të mora vetëm ty për të prindërit e mi.
Prijësi i habitur me mendjen e mprehtë të gruas u kthye në shtëpi dhe jetoi i lumtur me gruan e tij.
Korbi dhe dhelpra

Tek një lis sipër në majë,
korbi qëndroi të hajë,
një copë djathë që mbante,
në qeft. Kur nisi të hante,
shkon një dhelpër' e mallkuar,
se i ra erë djathë i vjeshtuar.
Dëshiron ta hajë vetë;
«Mirëdita mik i vjetrë,
bukurinë tënde nuk e ka zog tjetrë
me pendë të bardhë; në di të këndosh,
përmbi zogjtë e tjerë do të mbretërrosh"
Të tregojë zënë zoti korb gërrhiti,
dhe lëshoi djathnë po dhelpra ja priti,
dhe korbit i tha:
«Ndëgjo, budalla:
ata që lëvdojnë,
me gjë të botës duan të rrojnë.
Zot, kjo këshillë që të rrëfeva,
sot vlen më tepër
se kjo copë e djathit që të rrëmbeva"
Tha zonja dhelpër
dhe iku me bisht përpjetë.
Korb' i shkretë,
korb' i mjerë,
u turpërua
dhe u betua
të mos gënjenet më tjetër herë.
























